feja islame
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
feja islame

Eselamu alejkum. Vellezer muslimane! ne kete forum do te gjeni shum materiale te fese islame.... allahu ju shperblefte!
 
ForumLatest imagesRegjistrohuidentifikimi

 

 Akidja e Uasitit 3

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Admin
Admin



Numri i postimeve : 95
Join date : 22/03/2011

Akidja e Uasitit 3 Empty
MesazhTitulli: Akidja e Uasitit 3   Akidja e Uasitit 3 Icon_minitimeTue Mar 22, 2011 5:44 pm

Kapitull

Besimi në Allah do të thotë gjithashtu të besosh që Allahu është sipër shtatë qiejve, mbi Arshin e Tij, gjë e cila është treguar në Kuran, Sunetin e Profetit (sal-Allahu alejhi ue selem) dhe për të cilin kanë rënë dakord të gjithë të parët e këtij umeti. Pra, Allahu është mbi krijesat e Tij, e megjithatë Ai është me ta kudo që të jenë dhe e di çfarë veprojnë ata. Këto dy fakte (qëndrimin mbi Arsh dhe qenien me krijesat e Tij) Allahu i ka përmendur së bashku në një ajet:

"Ai ka krijuar qiejt dhe tokën për gjashtë ditë, më pas qëndroi mbi Arsh. Ai e di çfarë hyn në tokë dhe çfarë del prej saj. Di çfarë zbret nga qielli dhe çfarë ngjitet në të. Ai është me ju kudo që të jeni. Allahu e shikon çfarë veproni."

Fjala e Tij "me ju" nuk nënkupton që Ai është i përzier me krijesat, sepse nuk është e thënë që gjuhësisht ky të jetë i vetmi kuptim i kësaj shprehjeje. Përveç kësaj, ai bie në kundërshtim edhe me pajtimin e plotë e të parëve tanë dhe është në kundërshtim me natyrën e pastër njerëzore. Edhe hëna, e cila është një prej krijesave të Allahut, dhe një nga krijesat më të vogla të Tij, ndodhet në qiell. Ajo mgjth atë gjendet me udhëtarin kudo që ai shkon.

Allahu i Madhëruar është mbi Arshin e Tij, i vëzhgon krijesat e Tij dhe i mbikëqyr ata.

Fjala e Allahut të Madhëruar, që Ai është mbi Arsh dhe që është me ne, është e vërtetë e nuk ka nevojë për shtrembërim, mirëpo duhet ruajtur nga mendimet e gabuara. Kështu për shembull, të mendosh që ajeti "Ai është në qiell", do të thotë se Allahun e mban qielli apo se qielli ndodhet sipër Tij, është një gjepur. Për këtë janë dakord të gjithë dijetarët dhe besimtarët e vërtetë, sepse vetëm Kursiji i Allahut (krijesa mbi të cilën vendos Allahut këmbët) ka përfshirë të gjithë qiejt dhe tokën. Është Ai që i mban qiejt dhe tokën që të mos shkatërrohen dhe është Ai që mban qiellin që të mos bjerë mbi tokë.

"Prej argumenteve të Tij është që qielli dhe toka qëndrojnë me urdhrin e Tij."


Kapitull

Besimi në Allah përfshin edhe besimin se Allahu është afër robërve të Tij dhe u përgjigjet atyre, siç e ka treguar edhe Vetë këtë gjë, kur thotë:

"Kur të pyesin robërit e mi për Mua, (thuaju se) Unë jam afër e i përgjigjem lutjes së atij që më kërkon."

Po kështu, na ka treguar edhe Profeti (sal-Allahu alejhi ue selem) kur shokët e tij ngritën zërat gjatë dhikrit: "O njerëz, ulini zërat, sepse ju nuk po i luteni dikujt që është shurdh ose larg jush. Ju po i luteni Atij që është Dëgjues, i Afërt. Ai të Cilit po i luteni është më afër jush se qafa e deveve tuaja (kur jeni hipur mbi to)."

Argumentet që janë përmendur në Kuran dhe Sunet, të cilat tregojnë se Allahu është afër dhe me krijesat e Tij, nuk bien në kundërshtim me argumentet që tregojnë se Ai është lart (mbi Arsh), sepse asgjë nuk i ngjan Atij në asnjë cilësi. Ai është i lartë në afërsinë e Tij dhe i afërt në lartësinë e Tij.

Kapitull

Besimi në Allah nënkupton edhe besimin për librat e Tij, besimin se Kurani është fjalë e Allahut të cilin Ai e zbriti. Kurani nuk është i krijuar: prej Tij e ka burimin dhe tek Ai do kthehet. Allahu e shprehu atë me të vërtetë . Ky Kuran që Allahu ia zbriti Muhamedit (sal-Allahu alejhi ue selem) është me të vërtetë fjalë e Allahut dhe jo fjalë e dikujt tjetër. Nuk lejohet të thuhet që Kurani është shprehje e fjalës së Allahut ose kuptimi i saj. Fakti se njerëzit e lexojnë apo e shkruajnë nëpër libra nuk e bën atë të mos jetë fjalë e Allahut. Fjala mbetet gjithmonë e atij që e thotë i pari, e jo atij që e transmeton prej të parit. Kurani është fjalë e Allahut, me shkronjat dhe kuptimet e tij. Ai nuk është vetëm me shkronjat ose vetëm me kuptimet e tij.

Kapitull

Në këtë çështje hyn gjithashtu besimi se besimtarët do ta shohin Allahun Ditën e Gjykimit me sytë e tyre, siç shohin diellin ditën e kthjellët dhe siç shohin hënën e plotë natën, pa u ngushtuar me njëri-tjetrin. Ata kanë për ta parë, së pari, në sheshin e Ditës së Gjykimit, më pas kanë për ta parë në Xhenet, si të dëshirojë Allahu i Madhëruar.

Kapitull

Besimi në Ditën e Gjykimit përfshin besimin në çdo gjë që do vijë pas vdekjes, të treguara nga Profeti, sal-Allahu alejhi ue selem. Ndjekësit e rrugës së Profetit besojnë në sprovën e varrit, siç besojnë në dënimin dhe mirësinë e tij.

Sprova e njeriut në varr do të jetë ajo kur ai do të pyetet: Cili është Zoti yt? Cila është feja jote? Cili është profeti yt? Por besimtarët i forcon Allahu me fjalën e palëkundur, në këtë botë dhe në botën tjetër. Për rrjedhojë, besimtari përgjigjet: "Zoti im është Allahu, feja ime është Islami dhe profeti im është Muhamedi, sal-Allahu alejhi ue selem". Ndërsa ai që ka dyshuar, do të thotë: "Hë, hë, nuk e di. Unë dëgjoja njerëzit që thonin diçka, dhe thoja ashtu si ata" – dhe goditet me një çekan hekuri. Ai klith aq shumë, saqë e dëgjon çdo gjë, veç njeriut. Sikur ky i fundit ta dëgjonte, do vdiste.

Pas kësaj sprove ka ose mirësi, ose dënim, derisa të bëhet Kijameti i Madh, atëherë kur të kthehet shpirti sërish në trup, kur të bëhet Kijameti që na ka treguar Allahu në Librin e Tij dhe me anë të Profetit të Tij (sal-Allahu alejhi ue selem) siç janë në pajtim për këtë të gjithë muslimanët. Atëherë njerëzit do ngrihen nga varret e tyre për të shkuar te Zoti i botërave, të zhveshur, të zbathur, të pa bërë synet. Dielli afrohet pranë tyre dhe djersa i mbulon. Do të vendosen peshoret, ku do të peshohen punët e robërve "Kush e ka peshoren e rëndë është i fituar, ndërsa ata që e kanë peshoren e lehtë kanë humbur vetet e tyre dhe në Xhehenem do të jenë përjetësisht." Atëherë do të ndahen librat (e veprave): disa do i marrin me të djathtën dhe disa me të majtën ose nga mbrapa shpine, siç thotë Allahu i Madhëruar "Çdo njeriu ia kemi bashkangjitur librin e tij, dhe Ditën e Gjykimit do t’i nxjerrim një libër të hapur: "Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritës i vetes tënde."

Allahu u kërkon llogari krijesave. E afron robin e Tij besimtar dhe i tregon gjynahet e veta që t’i pranojë, siç është treguar në Kuran dhe hadithe.

Ndërsa mosbesimtarëve nuk u llogariten veprat duke iu peshuar të mirat dhe të këqijat, sepse ata nuk kanë të mira. Në të vërtetë, atyre iu numërohen veprat, iu tregohen dhe ata i pranojnë. Më pas marrin çfarë meritojnë.

Në sheshin e Ditës së Gjykimit ndodhet Haudi ( pellgu ) i Muhamedit (sal-Allahu alejhi ue selem) uji i të cilit është më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti. Enët që ndodhen aty janë më shumë se yjet në qiell. Gjatësia e tij është sa një muaj rrugë dhe gjerësia po aq. Kush pi ujë aty një herë të vetme nuk e merr më kurrë etja.

Ura e Siratit vendoset mbi Xhehenem dhe skaji tjetër i saj përfundon në Xhenet. Njerëzit e kalojnë atë në varësi të veprave që kanë bërë. Disa prej tyre e kalojnë sa hap e mbyll sytë, disa e kalojnë si vetëtima, disa si era, disa sikur janë duke vrapuar me kalë, disa sikur janë duke ecur mbi deve, disa duke vrapuar, disa duke ecur, disa duke u zvarritur e disa rrëmbehen dhe hidhen në Xhehenem, sepse ura e Siratit ka kanxha që i rrëmbejnë njerëzit sipas veprave të tyre. Kush e kalon urën e Siratit hyn në Xhenet.

Pasi ta kalojnë urën e Siratit, do të qëndrojnë në Kantara (një vend para se të hyjnë në Xhenet), ndërmjet Xhenetit dhe Zjarrit. Atje i marrin hakun njëri-tjetrit derisa të pastrohen krejtësisht, dhe pastaj u jepet leje të hyjnë në Xhenet.

I pari person që kërkon t’i hapet porta e Xhenetit është Muhamedi (sal-Allahu alejhi ue selem) dhe umeti i parë që hyn në Xhenet është umeti i tij.

Ditën e Gjykimit ai bën tri ndërmjetësime:

Ndërmjetësimi i parë është për mbarë krijesat që ndodhen në sheshin e Ditës së Gjykimit dhe bëhet që të fillojë gjykimi, pasi më parë janë zmbrapsur nga kjo ceshtje të gjithë profetët, si Ademi, Nuhu, Ibrahimi, Musai dhe Isa, alejhimu selam.

Ndërmjetësimi i dytë është për ata që janë përcaktuar të hyjnë për Xhenet dhe bëhet që ata të hyjnë në Xhenet. Këto dy ndërmjetësime janë të veçanta për të.

Ndërmjetësimi i tretë është për ata që e kanë merituar Zjarrin. Në fakt këtë lloj ndërmjetësimi e bën ai, por mund ta bëjnë edhe profetët e tjerë apo njerëzit e devotshëm. Kështu ai ndërmjetëson për ata që e kanë merituar të hyjnë në Zjarr, që të mos hyjnë, dhe ndërmjetëson për ata që kanë hyrë, që ata të dalin. Disa të tjerë Allahu i nxjerr nga Zjarri pa asnjë ndërmjetësim, por me mirësinë dhe mëshirën e Tij.

Në Xhenet, pasi banorët e tij futen aty, mbetet një pjesë e pazënë. Atëherë Allahu krijon njerëz të tjerë për t'i futur atje.

Të gjitha këto ngjarje që do ndodhin në ahiret, si llogaria, shpërblimi, dënimi, Xheneti, Xhehenemi, e të tjera hollësi, janë të sqaruara në librat e zbritur nga qielli dhe në dijen e transmetuar nga profetët. Ajo çfarë është e transmetuar nga Profeti ynë (sal-Allahu alejhi ue selem) mbi këtë temë është e mjaftueshme. Kush e kërkon e gjen.

Grupi i Shpëtuar – ehli sunneti dhe xhemati – beson në kaderin e mirë dhe të keq. Besimi në kader përbëhet nga dy parime dhe çdo parim përmban dy elementë:

Parimi i parë është të besosh se Allahu e dinte se çfarë do vepronin krijesat ende pa i krijuar ato, ashtu siç dinte edhe gjendjet e tyre, d.m.th. punët e mira, punët e këqija, rrizkun dhe përfundimin e çdokujt.

Më pas Allahu shkroi në Leuhi Mahfudh përcaktimin për çdo krijesë. Sapo krijoi Lapsin, Allahu i tha: "Shkruaj!" – "Ç'të shkruaj?" – pyeti Lapsi. Allahu i tha: "Shkruaj çdo gjë që do të ndodhë deri Ditën e Gjykimit." Prandaj çdo gjë që i bie një njeriu nuk mund të shmangej nga ai dhe çdo gjë që i bie një të dyti nuk mund të gabonte e t'i binte të parit. Boja u tha dhe fletët u palosën, siç ka thënë Allahu i Madhëruar: "A nuk e di ti se Allahu di çfarë është në qiell dhe në tokë? Këto gjenden në Libër, e kjo për Allahun është shumë e thjeshtë." "Çdo fatkeqësi që bie në tokë ose në vetet tuaja është e shkruar në Libër para se ta krijojmë. Kjo gjë për Allahun është e thjeshtë."

Ky caktim, i cili vjen nga dija e Allahut, në disa vende është i përgjithësuar dhe në disa vende i detajuar. Allahu shkroi në Leuhi Mahfudh çfarë deshi, dhe kur e krijon fëmijën në barkun e nënës, para se t’i fryhet shpirti, dërgon tek ai një melek dhe i jep urdhër për katër gjëra: (1) të shkruajë rizkun e tij, (2) fundin e jetës së tij, (3) veprat e tij dhe (4) a do të jetë i lumtur apo i humbur (në ahiret). Këtë kuptim të kaderit e mohonin kaderitë ekstremistë në kohët e hershme, por mohues të tillë sot janë pak.

Parimi i dytë është të besosh se dëshira e Allahut depërton në gjithçka dhe se fuqia e Tij është e përgjithshme, d.m.th: të besosh se çfarë do Allahu është, dhe çfarë nuk e do nuk mund të jetë, dhe se çdo lëvizje apo prehje në qiej dhe në tokë ndodh me dëshirën e Tij. Nuk mund të ketë në pushtetin e Tij tjetër gjë, veç asaj që do Ai. Gjithashtu, duhet të besosh se Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë që ekziston apo nuk ekziston.

Çdo krijesë në tokë e në qiell e ka krijuar Allahu. Nuk ka krijues tjetër veç Tij. Ai i ka urdhëruar njerëzit t’i binden Atij dhe profetëve të Tij, dhe ua ka ndaluar kundërshtimin.

Allahu i Madhëruar i do të devotshmit, bamirësit, të drejtët, dhe është i kënaqur me ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Ai nuk i do mosbesimtarët dhe nuk është i kënaqur me njerëzit e prishur. Nuk e do imoralitetin dhe nuk e pëlqen për robërit e Tij mohimin dhe as nuk e do shkatërrimin.

Njerëzit me të vërtetë veprojnë, por veprat e tyre i ka krijuar Allahu. Njeriu është besimtar ose jobesimtar, i mirë ose i keq, falet ose agjëron. Njeriu ka liri për të vepruar dhe dëshirë, megjithatë Allahu i ka krijuar ata, mundësitë e tyre (për të vepruar) dhe dëshirat e tyre. Siç thotë Allahu i Madhëruar:

"…ju nuk mund të dëshironi ndryshe, vetëm nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve."

Këtë pikë të kaderit e mohojnë shumica e kaderive, të cilët Profeti (sal-Allahu alejhi ue selem) i ka quajtur "mexhusët e këtij umeti".

Në ekstremin tjetër të kundërt janë ata që e pranojnë dhe e teprojnë në këtë çështje, duke e parë njeriun si një qenie pa liri veprimi dhe pa vullnet për të zgjedhur. Rrjedhimisht, ata i konsiderojnë veprat e Allahut si të padobishme dhe pa urtësi!

Shkroi: Shejhu i Islamit Ahned Ibni Tejmijje

Përktheu: Abdurrahim Balla
Mbrapsht në krye Shko poshtë
https://fejaislame.forumarabia.com
 
Akidja e Uasitit 3
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Akidja e Uasitit 2

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
feja islame :: Your first category :: akideja-
Kërce tek: