feja islame
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
feja islame

Eselamu alejkum. Vellezer muslimane! ne kete forum do te gjeni shum materiale te fese islame.... allahu ju shperblefte!
 
ForumLatest imagesRegjistrohuidentifikimi

 

 libri''E VERTETA E QARTE'' PJESA E PARE

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Admin
Admin



Numri i postimeve : 95
Join date : 22/03/2011

libri''E VERTETA E QARTE'' PJESA E PARE Empty
MesazhTitulli: libri''E VERTETA E QARTE'' PJESA E PARE   libri''E VERTETA E QARTE'' PJESA E PARE Icon_minitimeWed Mar 23, 2011 5:49 pm

Me emrin e Allahut Mëshirëgjerit Mëshirëplotit.


Falenderimi i takon vetëm Allahut, vetëm Atë falenderojmë! I kërkojmë ndihmë, falje dhe mbrojtje nga të këqijat e veteve tona e nga të këqijat e punëve tona. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e humb dhe atë që Ai e humb nuk ka kush e udhëzon! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut dhe Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.
"O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun ashtu siç duhet pasur frikë Ai dhe mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë".
"O njerëz! Jini të bindur (dhe përmbushni detyrimet) ndaj Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një vetje (Ademit) dhe nga ajo, krijoi palën (bashkëshorten) e saj. Nga ata të dy, Ai krijoi burra dhe gra të shumtë. Kijeni frikë Allahun, nëpërmjet të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella, dhe mos i ndërprisni marrëdhëniet me të afërmit. Allahu është Vëzhgues mbi ju".
"O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun dhe flisni fjalë të drejta. Ai do t’ju drejtojë ju tek veprat e mira dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij , me të vërtetë që ka arritur fitore të madhe".
Fjalët më të vërteta janë fjalët e Allahut dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue selem. Gjërat më të këqia janë gjërat e shpikura! Çdo shpikje është bidat, çdo bidat është humbje dhe çdo humbje të çon në zjarr!
Një prej mirësive më të mëdha që i ka bërë Allahu besimtarëve është se ua ka plotësuar fenë dhe mirësinë e Tij ndaj tyre. Ka thënë Allahu i Madhëruar : “Sot e plotësova për ju fenë tuaj. Plotësova mirësinë Time ndaj jush dhe jam i kënaqur që feja juaj të jetë Islami” [El Maideh 3].
Allahu Madhëruar i zbriti profetit sal-l Allahu alejhi ue selem për 23 vjet rrjesht, pjesë - pjesë këtë libër të madh i cili është mrekullia e përjetshme e muslimanëve që e kanë në duart e tyre.
Në Kur’an gjenden lajmet e atyre që kanë qënë para nesh, lajmet e atyre që do të vijnë pas nesh. Ai është gjykuesi ndërmjet nesh. Ai është i vërtetë, jo tallje. Çdo mendjemadh që largohet prej tij ia thyen Allahu kurrizin. Kush e kërkon udhëzimin tek diçka tjetër veç tij humbet. Ai është litari i fortë i Allahut. Përkujtimi që përmban urtësitë. Ai është rruga e drejtë. Kush e ndjek atë nuk e humbasin dëshirat. Ky është ai libër me të cilin nuk ngopen dijetarët, nuk ngatërrohen në leximin e tij besimtarët. Nuk vjetërohet prej leximit të shumtë. Çuditë e tij nuk mbarojnë. Sa e dëgjuan xhindët thanë : “Ne kemi dëgjuar Kur’anin mahnitës”. Kush flet duke u bazuar në të ka thënë të vërtetën. Kush gjykon me të ka gjykuar drejt. Kush punon me të shpërblehet. Kush fton për tek Ai është udhëzuar në rrugën e drejtë.
Transmeton Imam Taberiu nga Ibn Ab-basi se ka thënë : “I ka premtuar Allahu atij që e lexon Kur’anin dhe e ndjek atë, që të mos e humbasë atë në dynja dhe të mos e ndëshkojë në Ahiret”. Më pas tregoi fjalën e Allahut që thotë : “Kush ndjek udhëzimin Tim nuk humbet dhe nuk shkatërrohet” [Taha 123] [1].
Por Allahu i Madhëruar për ta plotësuar edhe më shumë mirësinë e Tij ndaj besimtarëve u dërgoi atyre profetin e Tij të fundit sal-l Allahu alejhi ue selem dhe ua bëri detyrë atyre ta ndjekin atë dhe të dëgjojnë fjalën e tij nëse dëshirojnë të jenë të udhëzuar në këtë jetë dhe të shpëtuar në jetën tjetër.
Ka thënë Allahu i Madhëruar : “Kush i bindet të dërguarit i është bindur Allahut”. [En-nisa 80]. Shikoje si e ka konsideruar Allahu i Madhëruar bindjen ndaj profetit të tij sal-l Allahu alejhi ue selem bindje ndaj Allahut.
Ka thënë Imam Ahmedi : “E kam lexuar Kur’anin dhe e kam gjetur (urdhëra për) bindjen ndaj profetit sal-l Allahu alejhi ue selem në 33 ajete. Më pas këndoi ajetin që thotë : “Të ruhen ata që kundërshtojnë urdhërin e tij se mos u bjerë ndonjë fitne” [En-nur 63]. E përsëriti këtë ajet disa herë dhe tha : Ç’është fitneja? U përgjigj : Është shirku. Nëse njeriu nuk e pranon ndonjë fjalë të profetit sal-l Allahu alejhi ue selem mund të hyjë në zemrën e tij devijimi dhe të shkatërrohet. Më pas këndoi ajetin që thotë : “Pasha Allahun nuk kanë besuar deri sa të të marrin ty gjykues në mosmarrveshjet ndërmejt tyre”. [En-nisa 65]” [2].
Për këtë arsye ka thënë profeti sal-l Allahu alejhi ue selem në hadithin që e transmeton El Mikdam ibn Ma’dij kerib : “Mua më është dhënë Libri dhe një gjë e ngjashme me të” [3]. D.m.th Kur’ani dhe urtësia ose sun-neti.
Prandaj detyra e besimarit është të ndjekë këto të dyja nëse dëshiron udhëzimin në këtë jetë dhe shpëtim në botën tjetër. Gjithashtu i bashkangjitet Kur’anit dhe Sun-netit ixhmau ose mund ta quajmë rënia dakord e umetit Islam. Por kjo e treta bazën e ka tek Kur’ani dhe Sun-neti, kështu që burimi i pastër i udhëzimit ndodhet tek Kur’ani dhe Sun-neti i profetit sal-l Allahu alejhi ue selem.
Në të kundërt Allahu na ka paralajmëruar që të ruhemi prej ndjekjes së mendimit të pabazuar në Kur’an dhe Sun-net ose që bie në kundërshtim me Kur’anin dhe Sun-netin. Ka thënë Allahu i Madhëruar : “Ata nuk ndjekin gjë tjetër veç mendimit por mendimi nuk e zë vendin e të vërtetës” [En-nexhm 29].
Ka thënë Ibn Tejmije : “I ka qortuar Allahu në librin e Tij ata të cilët i fshehin argumentet dhe udhëzimin që i ka zbritur Allahu i Madhëruar. Këta zgjodhën rrugën e fshehjes së të vërtetës sepse bie në kundërshtim me mendimin e tyre. Për këta ka thënë Umeri radi Allahu anhu : “Ruhuni nga ndjekësit e mendimit sepse ata janë armiqtë e sun-netit. I lodhi mësimi përmendësh i sun-netit dhe u rrëshkiti prej duarsh dhe nuk e kuptuan. U pyetën në fe dhe u përgjigjën me mendimin e tyre” [4].
Ka thënë Ibn Tejmije gjithashtu : “Me anë të marrveshjes së Hudejbijes u arrit një fitore të cilën e dinte vetëm Allahu edhe pse shumë prej muslimanëve nuk e pëlqyen këtë sepse nuk e dinin përfundimin e mirë që kishte. Ka thënë Sehl Ibn Hunejf : “O njerëz akuzojeni mendimin tuaj. Unë sikur të kisha mundësi ta ktheja mbrapsht urdhërin e profetit sal-l Allahu alejhi ue selem ditën kur erdhi Ebu Xhendel (ditën e Hudejbijes) do ta kisha bërë [5] ” e ka transmetuar Buhariu edhe të tjerë” [6].
Begatia më e madhe dhe përfundimi më i mirë është tek ndjekja e Kur’anit dhe Sun-netit dhe largimi nga Kur’ani dhe Sun-neti duke ecur me mendime është shkaku i humbjes dhe dështimit të muslimanëve ndër kohëra.
Ndjekja e mendimit të pa ndriçuar me dritën e Kur’anit dhe Sun-netit dhe e mendimit që bie ndesh me Kur’anin dhe Sun-netin u shtua edhe më shumë pas tre brezave të mirë të cilët i ka lavdëruar profeti sal-l Allahu alejhi ue selem.
E sa më shumë kalojnë vitet, dekadat e shekujt aq më shumë largohen njerëzit nga ndjekja e Kur’anit dhe Sun-netit të profetit sal-l Allahu alejhi ue selem. Derisa mbërriti çështja në kohën tonë në atë gradë që çdokush mund ti japë të drejtë vetes për ta kundërshtuar Kur’anin dhe Sun-netin e profetit sal-l Allahu alejhi ue selem për shkak të çdo lloj dobie që i duket atij e tillë me mendjen e tij. E kjo është fatkeqësia dhe realiteti i hidhur që ne jetojmë sot në kohën tonë.
Sot ne jetojmë në një kohë të çuditshme. Çdo kush pretendon se ndjek Kur’anin dhe Sun-netin e profetit sal-l Allahu alejhi ue selem me gojë edhe pse realiteti e kundërshton qartë atë pretendim. Për këtë arsye u ngatërrua e vërteta me të kotën në shumë çështje. Çdokush pretendon se është në të vërtetë por nuk shohim unitetin që është fryti i ndjekjes së kësaj të vërtete. Gjë që tregon se jo të gjithë janë në të vërtetën edhe pse ky gabim nuk d.m.th që ne ti quajmë ata mëkatarë. Allahu e di çfarë ka çdokush në zemrën e tij dhe po Ai e di se sa i justifikuar është çdokush tek Allahu për gabimin e tij. Çështja këtu nuk është të gjykojmë për njerëzit por të gjejmë ku është e vërteta që na duhet ne muslimanëve për të qënë të udhëzuar në këtë jetë dhe të shpëtuar në jetën tjetër.
Një prej çështjeve që kanë hapur bisedime të gjera tek muslimanët në mbarë botën Islame gjithashtu së fundi edhe në vendin tonë ishte çështja : A u lejohet muslimanëve të hyjnë në politikë, qoftë kjo duke hyrë në kuvend apo në dikastere të tjera të shtetit me qëllim për të rregulluar sadopak gjëra në dobi të muslimanëve? Gjithashtu i bashkangjitet kësaj çështjeje edhe një çështje tjetër që është : A u lejohet muslimanëve të votojnë apo jo?
Ndodhën disa sprova për muslimanët gjatë kësaj mosmarrveshjeje dhe dolën në pah ato gjëra që fshiheshin në zemër. Lus Allahu e Madhëruar ta shfaqë të vërtetën dhe ti bashkojë zemrat e muslimanëve tek e vërteta. Dolën akuza të pa bazuara tek e vërteta dhe as tek realiteti. E gjithë kjo ishte një sprovë prej Allahut për besimtarët që të shohë kush prej tyre do ta kërkojë të vërtetën me sinqeritet! Kush prej tyre do ta ruajë gojën e vet prej gibetit! Kush prej tyre do ta ruajë zemrën prej mendimit të keq! Kush prej tyre do ta ruajë gjuhën prej akuzave! E të tjera urtësi që nuk është këtu momenti për ti treguar edhe pse janë edhe më të mëdha se këto që përmenda. Falenderimi i takon vetëm Allahut për çdo gjë. Ai ka urtësi të madhe në çdo gjë që bën. Ajo që më shqetëson duke shikuar gjendjen e muslimanëve është fakti që këtë sprovë kaq të vogël shumë prej tyre nuk e kaluan dot por u zhytën në të, kush më shumë e kush më pak. Po sikur të ndodhin sprova më të mëdha!! Kam frikë se nëse do ndodhin sprova më të mëdha aty ka për tu ndarë shapi nga sheqeri. Do dalë në pah kush e do Allahun me të vërtetë dhe kush e do Allahun vetëm kur nuk ka sprova. Allahu na ruajtë besimin deri në vdekje.
Duke parë gjithë mosmarrveshjet që kanë ndodhur në lidhje me këtë çështje e pashë të udhës që të shkruaja këtë libër që ndodhet përpara teje me qëllim që të tregoj atë që ka urdhëruar Allahu dhe i dërguari i Tij sal-l Allahu alejhi ue selem në këtë çështje. Kjo është detyra jonë, të ndjekim atë që ka urdhëruar Allahu dhe i dërguari i Tij sal-l Allahu alejhi ue selem.
Mbase dikush mund të thotë : A ka folur Allahu dhe i dërguari i Tij sal-l Allahu alejhi ue selem për këtë çështje? I themi : Patjetër. Allahu na ka treguar në fenë tonë çdo gjë që na nevojitet dhe profeti i Tij sal-l Allahu alejhi ue selem e ka transmetuar fenë në formën më të plotë dhe ai gjithashtu na ka treguar çdo gjë që na nevojitet në fenë dhe jetën tonë. Kemi nevojë vetëm të njohim atë që na ka urdhëruar Allahu i Madhëruar dhe i dërguari i Tij sal-l Allahu alejhi ue selem.
Përpara se të hyjmë në temë duhet të trajtojmë disa çështe që na ndihmojnë për të njohur të vërtetën dhe arsyen pse kanë rënë në kontradiktë njerëzit në këtë çështje e në shumë çështje të tjera si kjo.
Ka thënë Ibn Tejmije kur është pyetur për Mongolët : “Njohja e gjykimit Islam për ta ka lidhje me dy çështje : 1. Njohja e e veprimeve të tyre dhe 2. Njohjen e gjykimit të Allahut në lidhje me njerëz të tillë si ata” [7]. Ky është një rregull shumë i rëndësishëm në lidhje me çdo çështje Islame.
Nëse personit – që jep gjykimin – i mungon njëra prej këtyre dy pikave, gjykimi i tij është i predispozuar të jetë gabim. Prandaj ai që nuk e njeh realiten duke e përjetuar atë vetë ose duke e dëgjuar atë prej një numri njerëzish të besueshëm që e kanë përjetuar atë, nuk ka mundësi të nxjerrë gjykim të drejtë në lidhje me atë realitet. Por kjo nuk mjafton, duhet që njeriu të njohë edhe gjykimin që ka dhënë Allahu dhe i dërguari i Tij sal-l Allahu alejhi ue selem në lidhje me këtë realitet. Kush i plotëson këto të dyja, ai ka për të qënë më afër se të tjerët me të vërtetën por nuk ka njeri të pagabueshëm.


Realiteti i ndjekjes se Kur’anit dhe Sun-netit.
Shumë herë më janë ankuar vëllezërit kur u tregojmë të vërtetën në ndonjë çështje se dikush thotë të kundërtën e asaj që thua ti dhe ju që të dy pretendoni se ndiqni Kur’anin dhe Sun-netin. Për këtë arsye është e nevojshme të tregojmë disa gjëra në lidhje me realitetin e ndjekjes së Kur’anit dhe Sun-netit.
Ka shumë çështje fetare në të cilat dijetarët kanë disa mendime të ndryshme. Normalisht që në një çështje, dy mendime të ndryshme nuk mund të jenë të sakta të dyja. Njëri është i saktë e tjetri gabim. Këto mendime marrin vlerë edhe më të madhe kur ato janë të bazuara që të dyja në argumente të qarta fetare nga Kur’ani dhe Sune-neti i profetit sal-l Allahu alejhi ue selem. Ndërsa nëse njëri mendim nuk është i bazuar në argument të qartë ose nuk ka agument fare ai e humbet vlerën e tij si mendim në bazë të largësisë që ka nga argumentet fetare edhe pse ai dijetar që e ka thënë atë mendim mund të jetë i justifikuar tek Allahu. Çështja jonë nuk ka të bëjë me ato raste kur të dyja palët kanë argumente të qarta.
Gjatë vëzhgimit të realitetit del në pah se në një numër çështjesh – të cilat në disa raste nuk kanë të bëjnë vetëm me një person por me të gjithë muslimanët – baza fetare e atyre që i mbështesin ato mendime nuk janë argumentet e Kur’anit dhe Sun-netit por disa fetva të një apo më shumë dijetarësh. Problemi qëndron se muslimanët duke pasur mendim të mirë më shumë se ç’duhet, për atë person që e pyesin, nuk e pyesin për agrumentet fetare por vetëm për gjykimin që ka çështja. E më pas, kur dikush e kundërshton këtë gjykim thonë por edhe filani me argumente ka ecur. Por po të gërmosh do gjesh që mendimi i tij është bazuar në fjalën e dikujt që mund të jetë prej dijetarëve e ky dikush mbase është bazuar në fjalën e dikujt tjetër, po me mendim të mire, deri sa në fund të zinxhirit del një dijetar që thotë ky është thjesht mendim!!
Prandaj është shumë e rëndësishme që njeriu të kërkojë argumente prej atij që i jep fetva. Shih përshembull një rast. Kam lexuar në një faqe interneti që një person e lejonte hyrjen në kuvend sepse kishte lexuar një fetva të disa personave mbase edhe të panjohur për shumicën e muslimanëve. Ai e shprehte vet, që këtë bindje e kishte arritur sepse këta persona e kishin studiuar këtë çështje për gjashtë vjet!! Më pas ky person ua thotë xhematit këtë çështje si të mbaruar… Xhemati nuk pyet se ku janë argumentet për këtë gjë. E në fund kur dikush e kundërshton këtë mendim të thonë : Por edhe filani Kur’anin edhe Sun-netin ndjek. Po, unë e kuptoj që ai ndjek Kur’anin dhe Sun-netin por në këtë çështje nuk është duke ndjekur Kur’anin dhe Sun-netin!!
Apo raste të tjera që dikush mund të justifikohet për ndonjë qëndrim të gabuar që ka mbajtur, duke thënë se ai ka pyetur për këtë çështje!! A kjo është ndjekja e Kur’anit dhe Sun-netit?! Po qe se marrja e mendimit të dikujt kushdo qoftë ai prej bashkëkohorëve konsiderohet ndjekje e Kur’anit dhe Sun-netit atëherë do ishte më mirë për ne që të kishim mbajtur një medhheb prej medhhebeve te njohura të dijetarëve të hershëm. Mendimi i Imam Ebu Hanifes apo Malikut apo Shafiut apo Ahmedit apo dikujt tjetër prej dijetërve të selefëve është më i dashur për ne se mendimi i çdokujt tjetër që ka ardhur pas tyre. E përderisa ne e lamë mendimin e tyre me justifikimin se duhet të ndjekim Kur’anin edhe Sunetin, nuk mund të bëjmë fe mendimin e çdokujt tjetër që ka ardhur pas tyre. Këtë nuk e lejon as feja dhe as logjika e shëndoshë.
Ibn Tejmija ka thënë : “Janë të qortuar ata që e panë të vërtetën dhe e lanë atë ose neglizhuan në kërkimin e saj ose i kthyen shpinën duke mos e kërkuar atë për shkak të përtacisë ose shkak tjetër” [8].
Kështu që këta edhe pse mund të justifikohen se po ndjekin fetvanë e dikujt ata janë brenda këtij qortimi përderisa atyre u ka ardhur argumenti dhe i kanë kthyer shpinën atij.
Kështu që, nuk i takon njeriu të justifikohet se për këtë apo për atë çështje ka marrë fetva sepse fetvatë nuk janë argumente fetare. E megjithatë nëse ti ecën me një fetva nuk të lejohet ti detyrosh njerëzit të ecin me të, kur ti vetë nuk e di se ku bazohet ajo fetva. As ti quash të humbur ata që nuk kanë këtë mendim që bazohet në këtë fetva sepse kjo është humbja e vërtetë.
Të pretendosh se kjo është e vërteta sepse buron prej gojës së një dijetari sa do i mirë qoftë ai, ky është gabim shumë i rëndë. Sa do i madh që të jetë ai dijetar ai ngelet njeri. Sa do qoftë numri i atyre dijetarëve ata janë njerëz dhe mund të bien dakord për diçka që është gabim. Apo jo?! Përderisa nuk ka Ixhma (rënie’ dakord të umetit Islam) në këtë çështje.
E vërteta nuk njihet nga kush e thotë atë dhe as nga numri i atyre që e thonë atë. Kurrë nuk mund të ekzistojë kjo në fenë e Allahut. Lexoje këtë ngjarje :
Pas luftës së Bedrit profeti sal-l Allahu alejhi ue selem u mori mendimin sahabëve se çfarë të veprojë me robërit e luftës, a ti vrasë apo ti lirojë? Ebu Bekri i dha mendimin që ti lirojë ndërsa Umeri i dha mendimin që ti vrasë. Të nesërmen kur shkon Umeri tek profeti sal-l Allahu alejhi ue selem e gjeti atë dhe Ebu Bekrin duke qarë dhe i pyeti (pse qanin). Tha profeti sal-l Allahu alejhi ue selem : Po qaj për shkak të mendimit që më dhanë shokët e tu, që ti liroj robërit e luftës sepse Allahu më tregoi ndëshkimin [9] e tyre më afër se kjo pema [10].
Ai që kundërshtoi ishte vetëm Umeri radi Allahu anhu. Ndërsa profeti sal-l Allahu alejhi ue selem dhe sahabet ishin me atë mendin të cilin të nesërmen e qortoi Allahu i Madhëruar madje i kërcënoi me ndëshkim në ajetin që thotë : “Sikur mos e kishte shkruar më parë Allahu [11] do t’ju kishte ndëshkuar me një ndëshkim të madh për shkak të asaj që morët”. [El Enfal 68].
Meditoje këtë ngjarje se ajo është shumë e dobishme për atë që dëshiron të kuptojë të vërtetën. Gjithë ai numër sahabesh edhe profeti sal-l Allahu alejhi ue selem me ta e përsëri gabuan dhe ai që e qëlloi ishte vetëm Umeri radi Allahu anhu!
Ajo që përfitojmë nga kjo ngjarje është se e vërteta nuk njihet me numrin e atyre që e mbështesin atë por njihet me mbështetjen e Kur’anit dhe Sun-netit të profetit sal-l Allahu alejhi ue selem.
Në të kundërt mos gjyko për një çështje që ajo është gabim sepse ajo del prej gojës së atij që ti e urren ose e konsideron armik, qoftë edhe armik i vërtetë. Sot shohim shumë njerëz që gjykojnë se një çështje është gabim sepse e thotë filani. Kjo është çudi!! Po të ishte kjo e saktë atëherë duhet që ne muslimanët ta heqim ajetin Kursij nga Kur’ani sepse shejtani shkoi tek Ebu Hurejreh radi Allahu anhu dhe i tha : “Lexoje ajetin Kursij çdo natë…” [12]. Po të ecte Ebu Hurejre me mendjen e shumë njerëzve sot do thoshte : Përderisa ma tha shejtani i cili është armik i përbetuar i njeriut këtë gjë, kjo d.m.th që ajeti Kursij nuk qenka ajet Kur’ani në të vërtetë!!
Kështu që ka mundësi që njeriu i mirë të thotë fjalën e gabuar dhe njeriu i keq të thotë fjalën e vërtetë. Prandaj e vërteta dhe e kota nuk njihet prej asaj që del prej gojës së njerëzve, kushdo qofshin ata. Mbaje vath në vesh këtë.
Ai person që dëshiron ti bindë njerëzit se kjo apo ajo çështje është e vërtetë sepse e thotë filani dhe kjo është e kotë se e thotë filani, ai ka gabuar rëndë. Madje ai ua ka treguar njerëzve në formë të qartë që nuk po ndjek Kur’anin dhe as Sun-netin por po ndjek mendimet e njerëzve me anë të të cilave po argumentohet për atë që pretendon si të vërtetë.
Këtu kemi edhe një çështje tjetër. Dikush mund të thotë : Këto fetva janë fetvatë e dijetarëve dhe ne i duam dijetarët dhe i respektojmë ata. Kështu që do ecim me mendimin e tyre.
I themi : Të gjithë ne i duam dijetarët dhe i respektojmë ata. Por kjo nuk do të thotë që ne të ecim verbërisht me atë që thonë ata. Sepse dijetarët nuk janë të pagabueshëm. Teorikisht këtë e dinë të gjithë, por në praktikë shumë njerëz të akuzojnë vetëm pse thua që filan dijetar ka gabuar.



Një prej rregullave bazë në temën e argumentimit.
Kalojmë tek një çështje tjetër shumë e rëndësishme. Disa njerëz me të drejtë thonë : O vëlla, siç pretendon ti se ke argumente ashtu pretendon edhe tjetri se ka argumente. E me të vërtetë sjell argumente.
Përgjigje : Në lidhje me këtë çështje dua të flas për fakte konkrete që kanë të bëjnë vetëm me çështjen tonë sepse nuk është e drejtë ta përgjithësoj, për arsye se dikush mund të gabojë në një çështje por kjo nuk d.m.th se ai gabon në çdo çështje.
Unë e di që edhe ata që e lejojnë hyrjen në kuvende kanë argumente edhe pse për mua ato nuk hyjnë në rangun e argumenteve. Këtë gjë do ta vërtetoj tani me lejen e Allahut të Madhëruar pasi të tregoj thelbin e çështjes dhe kushtin bazë që duhet të ketë një argument që të quhet argument.
Të gjithë muslimanët duke futur këtu edhe grupet e humbura nëse do ti pyesësh për mendimet dhe besimet e tyre do të të argumentohen me argumente nga Kur’ani dhe nga Sun-neti. Nuk është e vështirë për askënd që të gjejë për mendimin e tij argumente qofshin ato të vërteta apo jo. Por e vërteta – o ti që e kërkon atë – kërkohet prej argumenteve të qarta. Ka thënë profeti sal-l Allahu alejhi ue selem : “Ju kam lënë në një (rrugë) të bardhë, nata e saj është si dita e saj. Nuk humbet prej saj vetëm se ai që është i shkatërruar” [13].
Atëherë vëlla i nderuar, nuk është vështirë të gjesh një argument, por çështja është të gjesh e të mbështetesh tek argumentet e qarta si dielli nëse dëshiron të shpëtosh veten.
Shikoje këtë shembull që ka treguar një prej dijetarëve për argumentimin e gabuar ku thotë : “Nuk është kusht që bidati të mos ketë asnjë argument qoftë edhe të përgjithshëm. Përkundrazi argumentet e përgjithshme mund të tregojnë se kjo vepër në përgjithësi është e ligjshme, por jo duke e kufizuar me disa kufij të veçantë. Si psh: Allahu ka thënë në Kur’an : “O ju që keni besuar përkujtojeni Allahun shumë”. [El Ahzab 41]. Por kjo nuk d.m.th që lejohet të thërresësh ezan për namazin e Bajramit. Gjithashtu kjo nuk dmth që lejohet ta përkujtosh Allahun vetëm me emrin Allah, Allah, Allah ose hu, hu, hu, (që d.m.th Ai, Ai, Ai) siç veprojnë sufistët”.
Nuk lejohet që në fenë Islame sidomos në çështjet e mëdha të mos ketë një rrugë të qartë dhe argumente të qarta. Përndryshe i bie që fjala e profetit sal-l Allahu alejhi ue selem që thotë : “Ju kam lënë në një rrugë të bardhë…” nuk është e saktë!! Allahu na ruajt, përderisa paska të drejtë çdokush të argumentohet me çfarë të dojë, për çfarë të dojë!! Gjë që nuk është fare e saktë në fe.
Atëherë rregulli bazë në këtë temë është që ne të argumentohemi me argumentet e qarta në fe të cilat janë si dielli në mes të ditës sidomos në çështjet e mëdha.
Ka thënë Albani : “Çështjet e njohura në formë të prerë në fe nuk hidhen poshtë për shkak të disa dyshimeve që mund të lindin prej një argumenti qoftë ky edhe në sheriatin tonë. Sepse ndjekja e këtyre argumenteve hyn tek ajeti që thotë : “ata ndjekin ajetet muteshabihe [14] me qëllim fitneje dhe devijimi” [Ali Imran 7]. D.m.th gjithmonë njeriu duhet të ecë me parimet e qarta në fe” [15].
Kështu që njihen dy lloj argumentesh : 1. Argumentet e qarta të cilat përmbajnë vetëm një kuptim të cilat quhen “Muhkeme” 2. Argumentet jo të qarta që përmbajnë më shumë se një kuptim të cilat quhen “Muteshabihe”.
Detyra jonë është që ne ti shpjegojmë argumentet e paqarta me anë të argumenteve të qarta. Nuk lejohet që ne të bazohemi tek argumentet që përmbajnë më shumë se një kuptim të cilave nuk ua dinë kuptimin e vërtetë vetëm se dijetarët dhe ti përplasim me argumentet e të qarta sepse kjo është rruga e humbjes që na ka paralajmëruar Allahu të ruhemi.
Shih se çfarë thotë Allahu i Madhëruar për këtë : “Ai të zbriti ty Librin. Në të ka ajete muhkemeh [16] ato janë baza e librit dhe ka të tjera që janë muteshabihe. Ata që kanë devijim në zemrat e tyre ndjekin ato që janë muteshabihe për të bërë fitne dhe për ti shpjeguar ato (sipas dëshirave të tyre). Por shjegimin e tyre të vërtet nuk e di kush veç Allahut dhe të patundurve në dije. Ata thonë : I besuam ato. Të gjitha janë prej Zotit tonë. Nuk përkujtohet (prej kësaj këshille) vetëm se ata që janë të zotët e mendjeve”. [Ali Imran 7].
Transmetohet nga Aishja radi Allahu anha se profeti sal-l Allahu alejhi ue selem këndoi këto ajete, më pas tha : “Kur ti shikoni ata që ndjekin ajetet muteshabihe dijeni se këta janë ata që ka treguar Allahu prandaj ruhuni prej tyre” [17].
Shembulli më i qartë për këtë që po themi është shembulli për të cilin kanë ardhur këto ajete. Këto ajete flasin për të krishterët në origjinë. Përpiqu të bësh lidhjen ndërmejt emrit të sures Ali Imran, fillimit të sures që thotë : “Nuk ka të Adhuruar tjetër veç Allahut Ai është i Gjalli (që ka jetën e plotë) El Kaj-jum (me fuqinë e të cilit qëndon çdo gjë)” dhe ajeteve që përmendëm më sipër të cilat ndodhen në faqen e parë të kësaj sureje.
Surja Ali Imran e ka marrë këtë emër që d.m.th : Familja e Imranit. Imrani është babai i Merjemes. Merjemja është nëna e Isës alejhi selam. Kjo na tregon qartë që Isa është njeri dhe kjo është prejardhja e tij njerëzore. Allahu e fillon këtë sure me ajetin që thotë : “Nuk ka të Adhuruar tjetër veç Allahut Ai është i Gjalli (që ka jetën e plotë) El Kaj-jum (me fuqinë e të cilit qëndron çdo gjë)” për ti treguar besimtarëve një realitet që nuk pranon diskutime, që Allahu është një. Allahu të ka treguar këtë gjë ty o Muhamed në Kur’an, ia ka treguar edhe besimtarëve të mëparshëm në Teurat dhe Inxhil të cilët po Ai i ka zbritur. Kështu që të gjithë librat qiellorë e tregojnë në formë unanime se : “Nuk ka të Adhuruar tjetër veç Allahut”.
Atëherë del pyetja : Përse krishterët thanë për Isën alejhi selam se ai është bir i Zotit? Ku e gjetën argumentin? Më pas na tregon Allahu ajetet që përmendëm më sipër : “Ai të zbriti ty Librin. Në të ka ajete muhkemeh [18] ato janë baza e librit dhe ka të tjera që janë muteshabihe. Ata që kanë devijim në zemrat e tyre ndjekin ato që janë muteshabihe për të bërë fitne dhe për ti shpjeguar ato (sipas dëshirave të tyre). Por shjegimin e tyre të vërtet nuk e di kush veç Allahut dhe fortëve në dije. Ata thonë : I besuam ato. Të gjitha janë prej Zotit tonë. Nuk përkujtohet (prej kësaj këshille) vetëm se ata që janë të zotët e mendjeve”. [Ali Imran 7] për të treguar se të krishterët në këtë besim të kotë nuk ecin me argumente të qarta por me ato argumente që quhen muteshabihe ose më thjeshtë dyshime.
Prandaj transmetohet se disa të krishterë që shkuan tek profeti sal-l Allahu alejhi ue selem u argumentuan që Allahu është tre me ajetet që thotë Allahu i Madhëruar : “Ne”. Thanë : “Ne” është shumës, kështu që ky është argument që ka tre zotëra. Ky ishte argumentimi i tyre. Prandaj Allahu i Madhëruar na paralajmëron që të ruhemi prej këtyre lloj argumentimesh. Ato e kanë përgjigjen e saktë por shumica e njerëzve mbase nuk e arrijnë ta njohin dot. Për këtë arsye detyra e tyre është të ecin me argumentet e qarta në fe. Kjo ishte arsyeja që Allahu e filloi suren Ali Imran me ajetin e qartë që Ai është një. E më pas na tregoi këtë lloj argumentimi të gabuar që i çon njerëzit në humbje. Allahu na ruajt.
Ndërsa shembujt nga tema jonë janë të shumtë. Madje të gjitha argumentet që kanë përmendur ata që e lejojnë hyrjen në kuvend janë shembuj për këtë çështje. Por ne po tregojmë këtu disa shembuj shkurtimisht sepse ato do tregohen në vendet e veta në mënyrë të detajuar.
Shembulli i parë : Kemi një ajet të Kur’anit i cili është një nga boshtet e mëdha të Islamit i cili flet për një temë që ka lidhje me qindra çështje të Islamit. Ai ajet është nga ajetet më të qarta. Ka thënë Allahu i Madhëruar : “Ndihmojeni njëri-tjetrin në bamirësi dhe devotshmëri dhe mos e ndihmoni njëri-tjetrin në gjynahe dhe armiqësi” [El Maideh 2]. Ne kemi treguar në një nga kapitujt e librit shumë shembuj të këtij rregulli që e tregon ky ajet. Shembuj të marrë nga sun-neti i profetit sal-l Allahu alejhi ue selem.
Disa njerëz e anashkalojnë këtë ajet, madje nuk e përmendin fare dhe argumentohen që lejohet të bashkëpunosh me mosbesimtarët duke u bazuar në disa ngjarje si marrveshja që bëri profeti sal-l Allahu alejhi ue selem me fisin El Huza’a ose hadithin që tregon se para ditës së gjykimit muslimanët do bëjnë marrveshje me romakët e të tjera argumente të këtij kalibri.
Ne e kemi shpjeguar këtë çështje më poshtë por po tregojmë këtu shkrutimisht disa gjëra. U themi atyre që argumentohen me këto hadithe : Çfarë keni për qëllim me argumentimin tuaj me këto hadithe? A keni për qëllim që të tregoni se lejohet të bashëkpunosh me mosbesimtarët? Nëse thonë : Po. U themi : Nuk kemi rënë në kontradiktë në këtë. As nuk është kjo çështja jonë. Ne e ndalojmë marrdhënien me ta ose edhe me muslimanët kur kjo marrdhënie çon në bashkëpunim në gjynahe. Prandaj sqarojeni ku e keni qëllimin : A doni të thoni me anë të këtyre argumenteve se lejohet të bashkëpunosh me ta edhe në gjynahe? Nëse e thoni këtë atëherë pyetja e parë që u drejtohet është : Po ajetin e qartë që e ndalon këtë gjë ku do ta çoni?! Nëse e thonë këtë e kanë akuzuar profetin sal-l Allahu alejhi ue selem se ai i ndihmonte njerëzit për gjynahe ndërkohë që atij i ka zbritur ky ajet që përmendëm më sipër!!
Profeti sal-l Allahu alejhi ue selem i tha babait të Nu’man Ibn Beshirit (i cili dëshironte që ta bënte profetin sal-l Allahu alejhi ue selem dëshmitar për një dhuratë që donte ti jepte djalit të tij) : “A ke fëmijë të tjerë veç tij”? I tha : Po. I tha profeti sal-l Allahu alejhi ue selem : “A të gjithëve u dhurove siç i dhurove këtij”? I tha : Jo. I tha profeti sal-l Allahu alejhi ue selem : “Unë nuk bëhem dëshmitar në padrejtësi” [19].
Shikoje si profeti sal-l Allahu alejhi ue selem nuk pranoi të dëshmojë për një dhuratë vetëm sepse ajo ishte padrejtësi. E si mundet që ai ti ndihmojë njerëzit për padrejtësi?!! Pasha Allahun që kjo është nga çudirat e kohës së fundit. Arritëm deri në atë pikë sa të akuzojmë edhe profetët e Allahut dhe njerëzit e mirë vetëm si e si për të justifikuar veten në këto gjynahe që bëjmë!! Allahu na ruajt. Lus Allahun që të mos e këtë njeri këtë mendim. Ky është përfundimi i ndjekjes së argumenteve jo të qarta dhe lënia e argumenteve të qarta në fe.
Shembull tjetër : Allahu e ka ndaluar në shumë ajete të Kur’anit gjykimin me ligje të tjera veç ligjit Islam e kjo është një çështje që nuk pranon diskutim në fe. Argumentet për këtë janë të shumëta e do ti lexosh ato në kapitujt që vijnë. Ndërsa ata që e lejojnë hyrjen në kuvend argumentohen me historinë e Jusufit alejhi selam që ai u bë ministër i mbretit dhe normalisht sipas tyre ai do gjykonte me ligje të tjera veç ligjit të Allahut. Por po të kërkosh në ajetet e historisë së Jusufit nuk gjen asnjë gjurmë që tregon as nga afër dhe as nga larg se Jusufi alejhi selam ka gjykuar me ligj tjetër veç ligjit të Allahut. E si mund të gjykonte me ligj tjetër?! Ai kur ishte në burg u tha shokëve të tij : “Gjykimi i takon vetëm Allahut” ndërsa kur doli dhe mori pushtetin veproi të kundërtën?! A është e pranueshme kjo apo e logjikshme?!
Këtë gjë sikur ta bënte një njeri i thjeshtë, do ta qortonin njerëzit duke i thënë : Ti thua atë që nuk e bën. Ose siç thotë populli : “Bëni siç them unë por mos bëni siç bëj unë”. A kështu ka qënë Jusufi alejhi selam?! I dërguari i Allahut?!! Pasha Allahun, çudi me këta njerëz!! Janë gati të akuzojnë të gjithë profetët e Allahut vetëm për të justifikuar vetet e tyre!!
Më poshtë e kemi sqaruar edhe më gjerë çështjen e argumentimit të tyre me historinë e Jusufit Alejhi selam. Prandaj nuk ka nevojë të zgjatemi më. Qëllimi im këtu është vetëm të tregoj disa shembuj të ndjekjes së dyshimeve ose atyre argumenteve që quhen Muteshabihe.
Për të mos e zgjatur më shumë po them që muslimani në fenë e tij duhet të ecë me gjëra të qarta nëse dëshiron të jetë i udhëzuar në këtë jetë dhe i shpëtuar në jetën tjetër. Allahu na udhëzoftë të gjithëve në rrugën drejtë.



pseja tjeter eshte ne vijim..... Exclamation Exclamation Exclamation
Mbrapsht në krye Shko poshtë
https://fejaislame.forumarabia.com
 
libri''E VERTETA E QARTE'' PJESA E PARE
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» E VERTETA E QARTE''PJESA E DYTE''
» E VERTETA E QARTE''PJESA E TRETE''
» Bekir Halimi - "Si të përgatitemi për muajin e bekuar të Ramazanit"

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
feja islame :: Your first category :: libra-
Kërce tek: